Vetëm 21 vjeç kur mori për herë të parë timonin e një kamioni, Nikollë Çuni, një nga shoferët më të njohur të Shkodrës do të niste një rrugëtim të gjatë në rrugët më të vështira të vendit, nga Vermoshi në Koman, duke përballuar kushte ekstreme pa ndalur asnjëherë rimorkion. Në vitet ’60 ai arriti të përshkojë mbi 1 milion e 650 mijë kilometra, një rekord që dëshmon jo vetëm për aftësinë, por edhe për disiplinën e hekurt të asaj kohe.

Historia e tij lidhet ngushtë me sistemin e planeve të punës, ku çdo shofer kishte detyrime mujore dhe vjetore për t’u përmbushur. Por Nikollë Çuni shkoi përtej këtyre kufijve, duke realizuar planin e parashikuar deri në vitin 2030, ndërsa doli në pension që në vitin 1990, me makinën e tij tip “Skoda”.

Djali i tij, arkitekti Zef Çuni, rrëfen me emocion përkushtimin e të atit, orët e gjata në timon dhe sakrificat e bëra për të përmbushur detyrën në çdo kusht.

Kontributi i tij nuk kaloi pa u vlerësuar edhe në kohën kur jetoi. Për punën në terrene të vështira, sidomos në zonat e Vermoshit dhe Komanit, atij iu kushtua një dokumentar nga Kinostudioja “Shqipëria e re” në vitin 1981, me titullin “Në udhët e vitit 2010”.