Shkodra, një nga qytetet me traditë të hershme në muzikën jazz, këtë 30 prill e ka përjetuar ndryshe Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it. Për herë të parë pas disa vitesh, mungoi eventi “Swing Marathon”, që sillte në qytet dhjetëra të rinj nga Tirana dhe qytete të tjera, të cilët udhëtonin me tren për të festuar nën ritmet e jazz-it deri në orët e vona.
Atmosfera karakteristike e këtij eventi, që niste që në udhëtim dhe kulmonte në Shkodër me muzikë, vallëzim dhe energji rinore, këtë vit nuk u rikthye. Arsyeja lidhet me mungesën e trenave, për shkak të procesit të rindërtimit të linjave hekurudhore dhe infrastrukturës përkatëse.
Pamjet e edicionit të fundit, ku treni mbërrinte në stacionin hekurudhor të Shkodrës si një simbol i festës dhe lëvizjes rinore, mbeten tashmë një kujtim për pjesëmarrësit. Për shumëkënd, ai ishte “treni i fundit” i një tradite që përkohësisht është ndalur.
Megjithatë, mungesa e këtij eventi ndjehet në qytet, duke lënë një boshllëk në kalendarin kulturor dhe në jetën artistike të të rinjve, që e kishin kthyer “Swing Marathon” në një nga momentet më të pritura të vitit.
