Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka pësuar një tjetër humbje ndaj Tiranës në gjysmëfinale, këtë herë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke e vështirësuar ndjeshëm rrugën drejt finales së kampionatit.

Kuqeblutë e nisën shumë dobët takimin, duke u mposhtur që në periodën e parë me diferencë të thellë 32-11. Megjithatë, reagimi erdhi në pjesën e dytë, ku Vllaznia barazoi shifrat në 44-44 para pushimit.

Pas përfundimit të dy periodave, në sallë përshëndeti Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, i cili nderoi me “Mirënjohje” disa prej figurave të shquara të basketbollit shkodran ndër vite.

Në vijim, loja mbeti e balancuar, por Tirana arriti të krijojë sërish diferencë në periodën e tretë dhe ta administrojë avantazhin deri në fund, duke fituar me rezultatin 90-86.

Me këtë sukses, Tirana kryeson serinë gjysmëfinale 2-0 dhe është shumë pranë finales, ndërsa Vllaznia do të kërkojë një përmbysje të vështirë në ndeshjen e radhës në kryeqytet.