Një zhvillim i rëndësishëm për fotografinë shqiptare është shënuar së fundmi, pasi Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar Rete Fotografia.

Ky rrjet, i themeluar në Milano, synon të krijojë ura bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe private në fushën e fotografisë, duke promovuar zhvillimin e saj përmes projekteve, konferencave dhe nismave profesionale.

Përmes aktiviteteve si “Una Rete in Viaggio” dhe “Archivi Aperti”, Rete Fotografia angazhohet në zgjerimin e kulturës fotografike dhe afrimin e saj me publikun e gjerë, ndërsa tashmë edhe “Marubi” bëhet pjesë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e muzeut shqiptar në këtë rrjet konsiderohet një hap i rëndësishëm për pozicionimin e trashëgimisë fotografike shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja për shkëmbim profesional dhe promovim kulturor.