Një mbrëmje plot ritëm, humor dhe emocione u përjetua në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku komedia “Buongiorno” e interpretuar nga trupa profesioniste e Teatrit “Teuta” të Ulqinit solli një atmosferë të gjallë për artdashësit shkodranë.
Përmes një loje të kuruar në detaje dhe batutave të goditura, shfaqja trajtoi tematika aktuale, duke reflektuar realitetin me nota humori dhe duke sjellë të qeshura të vazhdueshme në sallë. Ritmi dinamik dhe interpretimet e aktorëve krijuan një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, i cili e përshëndeti shfaqjen me duartrokitje të gjata.
Pas përfundimit të komedisë, ndanë ndjesitë e tyre disa nga protagonistët e mbrëmjes, të cilët vlerësuan mikpritjen dhe reagimin pozitiv të publikut shkodran.
Pas ndalesës në Shkodër, “Buongiorno” do të vijojë rrugëtimin artistik në Teatrin “Metropol” më 29 prill, duke sjellë të njëjtën energji dhe humor për publikun e kryeqytetit.
