Në “Loro Boriçi” ka startuar Kampionati Kombëtar i Atletikës për moshat U-18, duke mbledhur rreth 150 atletë nga 10 ekipe të ndryshme të vendit. Garat zhvillohen përgjatë gjithë ditës, sipas një programi të detajuar që përfshin prova si 100, 200, 400 dhe 1500 metra, stafetat, si dhe disiplinat e hedhjeve dhe kërcimeve. Ky organizim krijon hapësirë për evidentimin e talenteve të reja dhe testimin e tyre në kushte gare.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, thekson se ky kampionat ka një rol të rëndësishëm në rritjen e nivelit të atletikës dhe në përgatitjen e brezit të ri të sportistëve, duke e cilësuar atë si një investim për të ardhmen e këtij sporti në vend.

Kampionati U-18 konsiderohet një platformë kyçe për zhvillimin dhe promovimin e atletëve të rinj, ndërsa Shkodra vijon të dëshmojë potencialin e saj si një qytet që mirëpret dhe zhvillon evente të rëndësishme sportive.