Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në supersfidën e javës së 33-të të “Abissnet Superiore”, duke mposhtur 3-1 Vllaznia në “Elbasan Arena”.
Sfida nisi me ritëm të lartë, ndërsa vendasit kaluan në avantazh në minutën e 22-të me golin e shënuar nga Blaise, duke përfituar nga një moment pasigurie në mbrojtjen shkodrane. Vllaznia tentoi të reagojë dhe të rikthejë baraspeshën, por në minutën e 39-të ishte Lajthia që dyfishoi shifrat për verdheblutë, duke i dërguar skuadrat në pushim me avantazhin e qartë të Elbasanit.
Në pjesën e dytë, kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini rritën presionin dhe arritën të rihapin ndeshjen në minutën e 73-të me golin e Qato. Megjithatë, shpresa për një përmbysje zgjati pak, pasi vetëm katër minuta më vonë, Lajthia realizoi edhe golin e tretë për Elbasanin dhe të dytin personal, duke vulosur përfundimisht fatin e takimit.
Pavarësisht përpjekjeve të Vllaznisë për të rikthyer ndeshjen, Elbasani administroi mirë minutat e mbetura dhe siguroi një fitore që mund të rezultojë vendimtare në garën për titull.
Me këtë sukses, Elbasani ngjitet në kuotën e 62 pikëve, duke parakaluar Vllazninë në renditje dhe duke marrë kreun, ndërsa gara për titullin kampion bëhet edhe më e fortë në javët e fundit të sezonit.
