Nga Qamil Gjyrezi
Mbrëmë u zhvillua në Teatrin “Migjeni” Shkodër një muzikal shumë interesant ku arti flet dhe emocionet morrën jetë. Ky aktivitet i titulluar: “Poenia muzikal”, bëri bashkë tingujt e muzikës, poezinë dhe interpretimin në një atmosferë magjike. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Orkestra e Harqeve e Shkollës “Prenkë Jakova”, Shkodër me nxënës dhe mësues me dirigjent Admir Lekaj.
Solistë ishin Indrit Kodraliu Klarinetë, Erald Rragami Fizarmonikë dhe Merald Shtalbi piano. Ky formacion orkestral, në të cilin marrin pjesë nxënës, mësues dhe drejtori i shkollës Z. Anton Kaftalli, dirigjent Admir Lekaj, ka zhvilluar me sukses disa aktivitete këtë vit shkollor. Orkestra e Harqeve e Shkollës “Prenkë Jakova” në Shkodër, nën drejtimin e dirigjentit Admir Lekaj, po artikulon së fundi një diskurs artistik që shkon përtej performancës muzikore dhe hyn në një territor të qartë simbolik dhe edukativ.
Në planin semiotik, aktivitetet e tyre, si koncerti në Gjakovë, interpretimi i veprave të kompozitorit Pjetër Gaci, koncerti me rastin 65-vjetorit të institucionit, koncerti për festat e 7-8 Marsit dhe koncerti “Muzika për edukim” në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, dhe koncerti i fundit, funksionojnë si një sistem shenjash që ndërtojnë identitet kulturor dhe vazhdimësi tradite. Këtu muzika e harqeve bëhet një “kod i memories” kolektive: për shembull repertori i kompozitorit Pjetër Gaci, nuk është vetëm tingull, por shenjë e një estetike kombëtare që riprodhohet tek brezi i ri.
Dirigjenti, në këtë rast, vepron si ndërmjetës semiotik, duke transformuar partiturën në një akt komunikimi mes së kaluarës dhe së tashmes. Vetë 65-vjetori i shkollës është një rit simbolik i legjitimitetit kulturor, një narrativë që konfirmon vazhdimësinë e traditës muzikore shkodrane si një “tekst” i gjallë që lexohet përmes interpretimit. Ndërsa koncerti “Muzika për edukim” artikulon një dimension tjetër: muzika si shenjë pedagogjike, ku estetika shndërrohet në mjet formimi, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes artit dhe ndërtimit të subjektit social.
Orkestra e harqeve e nxënësve dhe mesuesve të shkollës “Prenkë Jakova” përfaqëson një model të veçantë bashkëpunimi midis brezit të ri dhe mësuesve, ku proçesi pedagogjik dhe ai artistik shkrihen në një të vetëm. Në planin semiotik, ky bashkëpunim krijon një dialog shenjash: nxënësit sjellin energjinë dhe potencialin, ndërsa mësuesit përfaqësojnë “kodin e dijes dhe traditës”. Orkestra bëhet kështu një “tekst i gjallë”, ku interpretimi muzikor është një akt komunikimi që ndërton kuptim përmes ndërveprimit.
Mësuesi nuk është thjesht udhëzues teknik, por një transmetues simbolik, që i jep formë identitetit artistik të nxënësve. Ndërsa nxënësit, përmes performancës, shndërrohen nga përfitues të dijes në bartës të kulturës muzikore. Në thelb, kjo orkestër është një hapësirë ku edukimi dhe arti bashkëkrijojnë një strukturë kuptimore, duke garantuar vazhdimësinë dhe rinovimin e traditës muzikore.
