Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” po zhvillon për të dytin vit radhazi “Javën Ndërkombëtare”, një nismë që sjell në qytet përfaqësues të universiteteve partnere nga vende të ndryshme të Europës.

Mes të pranishmëve është edhe pedagogu italian Giovanni Messina, i cili vjen nga Palermo dhe përfaqëson Universitetin e Messinës. Ai e vlerëson këtë aktivitet si një mundësi të rëndësishme për ndarjen e eksperiencave dhe ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi mes institucioneve akademike.

“Eventi në të cilin marr pjesë është tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Ai nuk i shërben vetëm Universitetit në Shkodër por krijon mundësinë për shkëmbim përvojash mes institucioneve akademike. Mendoj që është një eksperiencë jashtëzakonisht e vlefshme në aspektin profesional përmes diskutimeve të hapura dhe praktikave që ndiqen. Universitetet e Shkodrës dhe Messinës i përkasin dy qyteteve të rëndësishme dhe mbi të gjitha ofrojnë programe të larmishme studimi,” shprehet Messina.

Përtej angazhimit akademik, Messina shpreh një lidhje të veçantë me Shkodrën, të cilën e viziton për të katërtin vit radhazi. Ai e cilëson qytetin si një destinacion tërheqës, duke vlerësuar peizazhet, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen, ndërsa shton se prania e komunitetit italian e bën të ndihet si në shtëpi.

“Jo vetëm Shkodra por e gjithë Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse. Në këndvështrimin tim prej gjeografi mund të them se ofrohet një panoramë që të lë pa frymë jo vetëm për trashëgiminë e pasur natyrore por edhe atë kulturore. Më ka tërhequr vëmendjen në këto vite transformimi i madh ekonomik dhe social i vendit si dhe lidhja e ngushtë me kujtesën historike të ngjarjeve. Këtu në Shkodër ndihem si në shtëpinë time pasi shikoj shumë italianë këtu,” thekson Messina.

“Java Ndërkombëtare” po konsolidohet si një organizim i rëndësishëm për Universitetin e Shkodrës, duke rritur hapjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe duke e vendosur qytetin gjithnjë e më shumë në hartën akademike europiane.