Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, zhvilluan një vizitë në gjimnazin “28 Nëntori”, një ndër institucionet më të konsoliduara të arsimit në vend.
Gjatë qëndrimit në shkollë, ministrja pa nga afër investimin në palestrën e rikonstruktuar, një hapësirë që tashmë është rikthyer në shërbim të nxënësve dhe komunitetit. Ajo vuri theksin te rëndësia e çlirimit të ambienteve publike dhe përdorimit të tyre në funksion të edukimit dhe jetës komunitare, duke e cilësuar këtë si një model që duhet shtrirë më gjerë.
Nga ana tjetër, kryetari Beci nënvizoi se ndërhyrjet në infrastrukturë nuk mjaftojnë pa një menaxhim të qëndrueshëm dhe funksionalizim real të këtyre hapësirave. Ai e cilësoi këtë projekt si rezultat të bashkëpunimit mes pushtetit vendor, institucioneve arsimore dhe Ministrisë së Arsimit, duke garantuar ruajtjen e identitetit të një shkolle me traditë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe zgjerimi i aktiviteteve përtej orarit mësimor. Ministrja Kumbaro theksoi se vendimet e fundit të qeverisë krijojnë mundësi për përfshirjen e mësuesve nga lista e pritjes, profesionistëve të fushave të ndryshme, si dhe pedagogëve në prag pensioni, për të zhvilluar orë shtesë dhe aktivitete të reja edukative, përfshirë ato me karakter praktik dhe mjedisor.
Në takimin me stafin pedagogjik dhe nxënësit, “28 Nëntori” u vlerësua si një ndër gjimnazet më të spikatura në vend, me rezultate të larta në olimpiada, gara sportive dhe aktivitete kulturore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Aktualisht, shkolla numëron rreth 700 nxënës dhe mësues, duke mbetur një referencë për cilësinë në arsimin parauniversitar.
