Shkodra mirëpriti një nga ekspozitat më të veçanta fotografike që rikthen në vëmendje jetën sociale të vendit tonë në fillimshekullin e XX. “Shqipëria 1921, Eugene Pittard” u çel për publikun në Kinema “Republika”, duke sjellë një koleksion të rrallë imazhesh të realizuara nga studiuesi zviceran gjatë udhëtimit të tij në vendin tonë.

Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e cila theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite në forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.

“E kam pritur me padurim, prej kohësh, të jem në Shkodër për këtë ekspozitë të veçantë fotografike të Eugene Pittard. Ai nuk ishte thjesht një akademik i shquar zviceran por edhe një mik i madh i shqiptarëve. Përmes fotografive, Pittard kthehet në këtë qytet, ku gjithçka nisi në misionin e tij. Pas hapjes së saj në Tiranë, Shkodra përbën edhe qytetin e parë që ai vizitoi në Shqipëri,” u shpreh Ruth Huber.

Përmes fotografive, vizitorët njihen me portrete autentike, skena të jetës së përditshme dhe realitetin social të Shqipërisë së vitit 1921, të dokumentuara me syrin e një antropologu dhe studiuesi që dha kontribut të madh për Shqipërinë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, duke i dhënë publikut mundësinë të udhëtojë në kohë dhe të zbulojë një Shqipëri ndryshe, përmes objektivit të Eugène Pittard.