Teatri “Migjeni” në Shkodër ka hapur zyrtarisht thirrjen për edicionin e dytë të festivalit teatror “Gjegju Fest”, një nismë që synon të promovojë dramaturgjinë shqipe dhe të sjellë në skenë produksione bashkëkohore me mesazhe të forta.

Pas një edicioni të parë të suksesshëm në fundvitin e kaluar, ku u prezantuan një seri shfaqjesh me tematika të ndjeshme dhe aktuale, festivali rikthehet sërish duke ruajtur fokusin te roli i teatrit si hapësirë reflektimi dhe ndryshimi shoqëror. Në qendër të vëmendjes në edicionin e kaluar ishte figura e gruas dhe sfidat që ajo përballet në shoqëri.

Organizatorët ftojnë regjisorë, producentë dhe trupa teatrore të bëhen pjesë e këtij festivali, duke sjellë në skenë krijimet e tyre dhe duke kontribuar në pasurimin e jetës artistike të qytetit.

“Gjegju Fest” pritet të shndërrohet në një platformë të rëndësishme për teatrin shqiptar, duke afruar artistët me publikun dhe duke nxitur debat e ndërgjegjësim për çështje sociale përmes artit skenik.