Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është ftuar zyrtarisht të marrë pjesë në Panairin e 5-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që do të zhvillohet më 22–24 prill 2026 në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.
Ftesa i është drejtuar rektorit Tonin Gjuraj nga Akademia e Shkencave, e cila, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, organizon këtë aktivitet që synon të promovojë arritjet më cilësore në botimet akademike dhe shkencore në hapësirën shqiptare.
Sipas listës së institucioneve pjesëmarrëse, në panair do të jenë të pranishëm universitete, akademi, institucione kërkimore dhe shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, duke e kthyer këtë aktivitet në një pikë takimi të rëndësishme për botimet shkencore shqiptare.
Pjesëmarrja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në këtë panair pritet të sjellë në vëmendje kontributin akademik dhe kërkimor të këtij institucioni në nivel kombëtar dhe rajonal.
