Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër u zhvillua promovimi i librit studimor “Çështja e Orientit dhe Shqipëria”, një vepër që hedh dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe ndërthurjen e saj me zhvillimet ndërkombëtare.

Libri i autorit Prof. Dr. Gaspare Jakova – Mërturi sjell një analizë të thelluar historike, politike dhe diplomatike për periudhën 395–1905, duke trajtuar ndikimin e Çështjes së Orientit në fatin e Shqipërisë. Aktiviteti u moderua nga Prof. Zenepë Dibra, ndërsa botimi është përgatitur nga Fitije Picari.

Të pranishmit vlerësuan rëndësinë e kësaj vepre si një kontribut të çmuar në fushën e studimeve historike, duke theksuar nevojën për të rikthyer në vëmendje tema që lidhen me identitetin dhe rrugëtimin e shtetit shqiptar në raport me zhvillimet ndërkombëtare.

Promovimi u ndoq nga studiues, pedagogë, studentë dhe dashamirës të librit, të cilët e konsideruan këtë botim si një referencë të rëndësishme për kërkime të mëtejshme dhe për pasurimin e literaturës historike në vend.