Dhjetëra të rinj, përfaqësues organizatash dhe qytetarë u bënë bashkë në Shirokë në një aksion vullnetar për pastrimin e zonës pranë Liqenit të Shkodrës, duke dhënë një shembull konkret të angazhimit për mbrojtjen e mjedisit.

Aksioni u organizua nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Act4Shkodra, Qendrën Rinore “Atelie”, KVR Shkodër, DRTK Shkodër dhe COD, duke treguar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në ruajtjen e pasurive natyrore.

Përmes kësaj nisme u realizua pastrimi i mbetjeve në zonën bregliqenore, ndërsa njëkohësisht u përcoll edhe një mesazh sensibilizues për qytetarët që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të hapësirave publike.

Nga Shiroka u dha një shembull i qartë se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët dhe se përmes bashkëpunimit mund të arrihen rezultate konkrete në ruajtjen e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të qytetit.