Panairi i artizanatit në Shkodër vijon të mbetet një traditë e konsoliduar ndër vite, duke sjellë në vëmendje vlerat e trashëgimisë kulturore dhe punimet artizanale që identifikojnë qytetin. Megjithatë, përtej ekspozimit të produkteve, në fokus mbeten edhe sfidat me të cilat përballet ky sektor.
Drejtuesi i Shoqatës së Artizanëve dhe Zejeve të Shqipërisë, Zef Gjini, thekson se artizanati në Shkodër nuk rrezikon të zhduket, falë njerëzve pasionantë dhe të përkushtuar që vijojnë të ruajnë dhe transmetojnë këtë traditë të pasur.
Gjini nënvizon se tradita mbetet një faktor kyç për vazhdimësinë e brezave, por pa një përkrahje më të madhe financiare dhe institucionale, zhvillimi i mëtejshëm i artizanatit mbetet i vështirë.
Sfidat lidhen gjithashtu me mungesën e promovimit online çka e bën të domosdoshme një qasje më të re dhe mbështetje konkrete për ta kthyer artizanatin në një sektor më të qëndrueshëm dhe tërheqës.
