18 prilli, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, e gjen Shkodrën me një pasuri të konsiderueshme monumentesh që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm. Një ndër asetet më të rëndësishme mbeten banesat monumentale, të cilat përfaqësojnë identitetin arkitektonik dhe historik të qytetit.
Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, institucioni ka planifikuar ndërhyrje konkrete për mirëmbajtjen e disa prej këtyre objekteve.
Ndërkohë, interesi për trashëgiminë kulturore në Shkodër po rritet edhe nga vizitorët. Parku Arkeologjik i qytetit rezulton ndër më të vizituarit në vend gjatë muajve të parë të këtij viti, me në qendër kalanë simbol të qytetit, atë të Rozafës.
Për këtë monument të rëndësishëm pritet të nisë edhe një projekt i ri rijetëzimi, i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe logjistike për vizitorët.
Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë, por edhe kthimin e saj në një aset të qëndrueshëm për zhvillimin turistik të qytetit.
