Në prag të sfidës ndaj Vorës për javën e 32-të të Abissnet Superiore, mesfushori ofensiv i Vllaznisë, Edon Murataj, është shfaqur para mediave duke vlerësuar seriozisht kundërshtarin, pavarësisht pozicionit në renditje. Ai theksoi se skuadra shkodrane do të udhëtojë vetëm me një objektiv: marrjen e tre pikëve.
Murataj u ndal edhe te forma e tij personale, duke pranuar se ka patur një periudhë të vështirë me dëmtimet, por duke theksuar se tashmë është rikthyer në gjendje optimale për të ndihmuar ekipin.
Mesfushori kuqeblu theksoi se pavarësisht presionit dhe pritshmërive të larta, skuadra mbetet e fokusuar te çdo ndeshje, duke nisur nga ajo ndaj Vorës. Ai shtoi se rëndësi ka rezultati final dhe jo diferenca e golave, ndërsa nuk fshehu dëshirën për të shënuar në këtë takim.
