Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare lahutari i njohur i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj, një nga figurat më autentike të folklorit shqiptar. I lindur në Nikç të Kelmendit, ai iu përkushtua që në fëmijëri lahutës dhe këngës, duke u bërë ndër interpretuesit më të spikatur të Ciklit të Kreshnikëve. I frymëzuar nga “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, Delaj krijoi një stil të veçantë që e bëri të dallueshëm në skenat folklorike.

Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi dhe krijoi qindra këngë epike për figura historike si Oso Kuka, Isa Boletini dhe Prek Cali, të cilat ruhen me kujdes në fondin e artë të muzikës në Radio Shkodra ndërsa për vite me radhë përfaqësoi kulturën shqiptare në festivale brenda dhe jashtë vendit.

Përfshirja e lahutës në UNESCO u pa si një vlerësim edhe për misionin e tij. Ikja e Jonuz Delajt lë një boshllëk në kulturën shqiptare, ndërsa trashëgimia e tij mbetet e gjallë në këngët dhe interpretimet që la pas.

Për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të lahutës, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale edhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Statusi i plotë i ministrit Blendi Gonxhja

Me ndarjen nga jeta të Jonuz Delaj, kultura shqiptare humbi jo vetëm një lahutar, por një epokë të gjallë të kujtesës sonë historike. I ardhur nga Malësia e Madhe, ai u njoh si “magjistari i lahutës” dhe shpesh u cilësua si një nga bartësit e fundit autentikë të Eposit të Kreshnikëve.

Siç rrëfehet edhe në reportazhe kushtuar jetës së tij, Jonuz Delaj e mbarti lahutën si pjesë të qenies së vet, duke kënduar këngë epike të mësuara gojarisht, pa shkrim e pa skenografi, vetëm me kujtesën, zërin dhe forcën shpirtërore. Për të, lahuta nuk ishte instrument, por dëshmi e identitetit dhe e historisë shqiptare.

Sot, kjo trashëgimi merr një domethënie edhe më të madhe, në kohën kur lahuta shqiptare gëzon statusin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s – një vlerësim që nderon edhe figura si Jonuz Delaj, të cilët e ruajtën atë në formën më të pastër.

Ai u largua nga jeta, por zëri i tij mbetet i gdhendur në tingullin e lahutës, në epikën shqiptare dhe në kujtesën tonë kolektive. Institucionet shqiptare janë të angazhuara për ruajtjen, përcjelljen brezave dhe edukimin mbi dijebërjen, që thesaret tona të traditës të jetojnë, të tregohen e të ushtrohen përgjithmonë.