Është mbushur një vit nga ndarja nga jeta e Profesor Menduh Dërgutit, një prej figurave më të respektuara të arsimit dhe jetës akademike në Shkodër dhe më gjerë.
Në këtë përvjetor, pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Ervis Krymbi e kujtoi me mirënjohje, duke e cilësuar si një figurë me vlera të rralla njerëzore dhe profesionale.
Statusi i plotë i pedagogut, Ervis Krymbi
U bë 1 vit nga ndarja nga jeta e Profesor Menduh Dërguti!
Një njeri i jashtëzakonshëm, një profesor me vizion dhe një patriot i heshtur.
Menduh Dërguti nuk ishte vetëm deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992–1996 dhe Rektor i Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, por edhe një mendje e ndritur që i shërbeu arsimit, dijes dhe kombit me përkushtim të rrallë.
Ai ishte nga ata njerëz që nuk kërkonte asnjëherë protagonizëm, por la gjurmë të thella në çdo fushë ku kontribuoi.
Ka një veprimtari të pasur në fushën shkencore veçanërisht në hartimin e teksteve shkollore të sistemit parauniversitar e universitar. Tekste universitare: “Historia e Kohës së Re”, (Pjesa e parë), Tiranë 1984 (bashkautor), “Metodikë e Historisë për Ciklin e Ulët”, Tiranë 1987 (autor), “Metodika për shkollën 8-vjeçare e të mesme”, Tiranë 1987 (autor i kapitullit “Metodat e mësimdhënies”) dhe “Historia e Kohës së Re (3) – Qytetërimi Perëndimor) 1871–1918, Tiranë, 2004 (bashkautor). Tekste të sistemit parauniversitar: gjatë periudhës 1972–2014 hartoi si bashkautor 12 tekste shkollore për lëndën e historisë, tre tekste për kl. VI gjatë periudhës 1972–1984 dhe 9 tekste për periudhën 2004-2014 (4 tekste për klasat VI-IX dhe 5 tekste për kl. X-XII).
Sot si pedagog, por si edhe student që kam mbaruar degën Histori-Gjeografi asokohe, kam detyrimin me kujtu një Njeri plot vlera si Profesori.
