Kinema “Republika” mirëpriti premierën e filmit më të ri shqiptar “Vdekja le të presë”, një produksion i vitit 2025 që solli emocione dhe nostalgji për publikun shkodran. Filmi ka në përbërje një kast të spikatur aktorësh të kinematografisë shqiptare si Reshat Arbana, Tinka Kurti, e ndjera Margarita Xhepa, Zyliha Miloti, Luftar Paja, Mehdi Malkaj dhe Ema Andrea.

Një pjesë e aktorëve ishin të pranishëm në Shkodër, ku u takuan nga afër me publikun, duke ndarë emocionet dhe përjetimet e tyre rreth këtij projekti kinematografik.

Regjisori Edmond Topi e cilëson filmin të veçantë edhe për faktin se është projekti i fundit ku interpreton ikona e kinemasë shqiptare, Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta pas realizimit të tij.

“Vdekja le të presë” vjen si pjesa e dytë e filmit “Yjet e së ardhmes” dhe përtej elementit të komedisë romantike, përcjell një mesazh të fortë njerëzor: pleqëria nuk është fundi, por një etapë që duhet jetuar me dinjitet, dashuri dhe pasion.