Lirimi i hapësirave publike në qytetin e Shkodrës po vijon në disa zona, si pjesë e aksioneve për heqjen e ndërtimeve pa leje dhe rikthimin e aksesit për qytetarët. Ndërhyrjet synojnë të përmirësojnë qarkullimin, sigurinë dhe funksionimin normal të hapësirave të përbashkëta, duke i dhënë qytetit më shumë frymëmarrje.
Arkitekti Zef Çuni e vlerëson këtë proces si një hap pozitiv për Shkodrën, duke e cilësuar si një mundësi për t’i rikthyer këto hapësira në shërbim të komunitetit.
Megjithatë, sipas arkitektit shkodran, sfida nuk përfundon me lirimin e hapësirave. Ai thekson se është e domosdoshme që ky proces të shoqërohet me një qasje më të thelluar dhe më estetike në rikonceptimin e qytetit, duke përfshirë rrugët, sheshet dhe trotuaret për këmbësorët.
Çuni nënvizon se për të arritur një urbanizim cilësor dhe tërheqës për syrin, është e nevojshme të zhvillohen konsulta me arkitektë dhe artistë, duke shtuar se qyteti i Shkodrës nuk vuan nga mungesa e profesionistëve në këtë fushë.
Në një qytet me identitet të fortë historik dhe kulturor si Shkodra, lirimi i hapësirave publike përbën hapin e parë, por sfida e vërtetë mbetet transformimi i tyre në ambiente funksionale, estetike dhe të denja për komunitetin.
