Në kuadër të 15 prillit, Ditës Botërore të Artit, vëmendja rikthehet tek roli i krijimtarisë artistike dhe sfidat me të cilat përballet sot arti në Shkodër.
Muzikologu Qamil Gjyrezi thekson se arti dhe iniciativat që lidhen me të kanë nevojë për më shumë mbështetje, veçanërisht në aspektin financiar.
Sipas muzikologut shkodran, pa një mbështetje të qëndrueshme, zhvillimi i krijimtarisë artistike bëhet i vështirë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe vazhdimësinë e saj.
Gjyrezi ndalet edhe tek një ide konkrete për qytetin e Shkodrës, duke sugjeruar krijimin e një konkursi të posaçëm të krijimtarisë artistike, që do të mund të merrte frymëzim nga figura e kompozitorit të madh Prenkë Jakova.
Sipas tij, iniciativa të tilla jo vetëm që nxisin talentet e reja, por edhe forcojnë identitetin kulturor të qytetit, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen.
