Nga Suad Arilla

Zakonisht, kujtesa e një qyteti mbështetet mbi gurë, ndërtesa dhe hapësira që mbajnë historinë e tij. Të rralla janë rastet kur, përkrah tyre, mbeten edhe njerëz që bartin të njëjtën kujtesë. Të tilla raste janë thuajse epike apo legjendare, raste kur gjithçka që ka ardhur bashkë me emrin e personazhit, është vetëm bëma e tyre në kufinjtë e të pamundurës. Ndryshe ndodh këtë herë. Dhe, për aq kohë sa mund ta themi dhe përsërisim këtë fjali, duhet të gëzojmë apo të mendojmë thellë mbi bazat e forta të ngjizjes së themeleve të një qyteti.

Kur flasim për kulturën dhe artin, teatrin specifikisht, i pandashëm për qytetin e Shkodrës bëhet emri i Tinka Kurtit. Dëshmitarja e vetme që nga krijimi i teatrit “Migjeni”. Si e tillë, nëse sot flasim për teatrin e Shkodrës apo për Tinkën, kemi të bëjmë me paralele që në sinergji me njëra tjetrën kanë ngritur lart emrin e teatrit në vendin tonë.

“Ngado që të udhëtojë kjo grua, era e shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një kujtim i bukur e mbresëlënës edhe ajo rrugëza e parë – si një motiv fëmijërie, edhe trokitja e parë në portën e teatrit “Migjeni”. Vit pas viti, kohë pas kohe biografia e saj artistike pasurohet me personazhe. Dhe… ajo, Tinka Kurti qëndron në mes tyre si “Zojë e randë” e teatrit dhe e kinemasë shqiptare, një aktore që nuk ka ndërmend të plaket.” (Xhahid Bushati – Teatri “Migjeni”, kujtesa e një qyteti; Albas, 2019)

Kur e pyesin se si i është futur rrugës së artit, ajo jep këtë përgjigje në një prej intervistave të saj “Me prishjen me Jugosllavinë u riformua kori, u riformua teatri, orkestra simfonike e Shkodrës. Dhe unë hyra në kor për të fituar “triskën e bukës” 900 gramëshe, se mama ime nuk ishte në punë dhe nuk kishte triskë-buke”. (Intervistë e Nase Jani “Tinka Kurti: Jeta ime në skenë e në ekran”). Rasti i kësaj zonje që ka lënë gjurmë të pashlyeshme për teatrin, është tipik i artistëve më të mëdhenj botërore. Shembuj që ju i njihni tashmë. Është e rëndësishme të thuhet se nga dhimbja lind forma më e lartë e artit, apo siç e përkufizon shkrimtari i madh Dostojevski: “Më jepni një dhimbje, t’ju jap një kryevepër”. Kryevepra titullohet Tinka (Thani) Kurti.

Nisja dhe “rolet e vogla”

E lindur në Sarajevë, vendoset në Shkodër që në vegjëli. Ajo është më e madhja e katër fëmijëve, dhe siç e përmendëm, për to ka shumë rëndësi që dikush të fitojë triskën e bukës. Ende shumë e vogël nis të aktivizohet me teatrin amator në Shkodër dhe 16 vjeçe nis karrierën si aktore gjysëm profesioniste në teatrin “Migjeni”.

Në intervistën me Zenepe Lukan, pyetjes se si ka qënë fëmijëria e saj, ndër të tjera Tinka i përgjigjet: “…shkova në dhomën për të cilën më kishte folur nëna, hungarezja Elizabetë, e cila pas lindjes kishte dalluar mes yjesh një gërmë “T” dhe për këtë shkak vendosi ta quante vajzën Tinka”. Në vazhdim të po kësaj interviste, ajo thekson: “Kam interpretuar rreth 330 role, shumica janë në dramë, por edhe në filma. Janë së paku 60 vite të jetës sime, që ia kam kushtuar skenës, pra e gjithë jeta.”

Dokumentet arkivore dëshmojnë një përkushtim të hershëm dhe të vazhdueshëm ndaj skenës. Arkivisti i teatrit, Astrit Fani, më tregon me radhë dokumente që dëshmojnë angazhimin e saj që në moshë të hershme, dramat, rolet përkatëse, madje deri edhe rrogën; të mbajtura shënim me përpikmëri nga i shquari Zef Jubani. Astriti më tregon disa letra tjera, në vazhdën e traditës arkivore, sipas të cilave numërohen 80 role në dramë të së madhes Tinka Kurti, me shënime anash ku thuhet se përveçse aktoren, ajo ka bërë edhe rolin e asistent-regjizores. Apo dy shënimet tjera që duhet t’i veçojmë ku ai nënvizon “26. “Nora” – 28.12.1960 – Dila (Në këtë premierë Tinka vjen me titullin “Artiste e Merituar”)”; dhe shënimi i dytë “71. “Gjaku i Arbrit” – 25.05.1981 – Nënëmadhja (Në këtë premierë Tinka vjen me titullin “Artiste e Popullit”)”.
E me radhë…

Shënimet janë të shumëllojshme, jo vetëm në këtë rast, por kujtime, dëshmi, intervista të kolegëve të saj të cilët pohojnë rrugëtimin e mrekullueshëm të Tinka Kurtit drejt madhështisë. Ajo, që e ngre lart teatrin dhe teatri që e mban lart si yjet gjatë natës.
Për Tinkën, pyetja mbi “rolin më të dashur” nuk ka një përgjigje të vetme: “Për publikun, mund të them, jo për mua, sepse unë nuk kam nënvlerësuar asnjë rol. Mama ime, edhe nga pasioni i aktores, më vinte vazhdimisht e më shihte dhe më thoshte: “Ti nuk ke të drejtë të nënvlerësosh asnjë rol të vogël, sepse ajo pjesa e rolit tënd është në shërbim të shfaqjes së madhe”. Këto mësime i kam marrë nga mama”. (Intervistë e Nase Jani – “Tinka Kurti: Jeta ime në skenë e në ekran”). Dhe, po flasim për rreth 300 role, 80 drama vetëm në teatrin “Migjeni”, sa të tjerë në kinematografi apo Teatrin Kombëtar e më gjërë. Një figurë si Tinka Kurti nuk na rrëfen vetëm dimensionin profesional të artistit, por edhe atë njerëzor: ajo e kupton se vlera nuk qëndron te madhësia e rolit, por te përkushtimi dhe puna e vazhdueshme.

Kujtesa personale: arti si mbijetesë

Tek Tinka Kurti, kujtesa personale nuk është një arkiv i “ujërave të qeta”, por një hapësirë ku dhimbja, arti dhe jeta përzihen vazhdimisht. Intervistat e saj nuk janë rrëfime lineare, ato janë shpesh fragmente emocionale, të ndërprera nga heshtje, nga kthime pas, nga një lloj përjetimi i vazhdueshëm i së shkuarës, një gërshetim i vazhdueshëm mes vetes dhe roleve që ka jetuar.

Në një intervistë me Zenepe Lukan, përballë pyetjes mbi 60 vitet e saj në skenë, ajo jep një përgjigje që shkon përtej kujtimeve: një ndërthurje mes kohës, njerëzve dhe përvojës, që përfundon në një të vërtetë të thjeshtë, rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. “Janë aq shumë, sa kur i përmend, dikush do të shprehej “Ç’ja fut rrenës kjo Tinka” (qesh). Në të vërtetë gjysmat i kam mbyllur nëpër valixhe. Kur i shfletoj ndonjëherë, më kujtohet e ndjera nëna ime, që i thoshte sime motre, Pinës (mjeshtre sporti): “Martohu Pina, se me vete do të marrësh një valixhe me medalje dhe kupa.” Kjo është pasuria më e çmuar për njeriun. Edhe për mua do të duhej një kalë për të transportuar këtë “barrë” medaljesh dhe vlerësimesh që janë bërë në kohë të ndryshme.”

Në disa intervista të viteve të fundit (Report TV – “Frontline Interview”), ajo e artikulon shumë qartë raportin mes jetës dhe teatrit: “Po të mos ishte teatri, nuk e di si do ta kisha përballuar jetën.” Kjo fjali është thelbësore: arti nuk është thjesht një profesion për të, por një mekanizëm mbijetese psikologjike.
Në një tjetër rrëfim, duke folur për humbjet personale dhe vetminë, ajo thotë: “Njeriu mësohet me duartrokitjet, por jo me heshtjen që vjen më pas.” Tabloja është e qartë: një gjendje midis dritës së skenës dhe errësirës së jetës. Ajo e njeh mirë këtë kontrast dhe nuk përpiqet ta fshehë.
Në intervistat e botuara ndër vite (gazeta Intervista), ajo rikthehet vazhdimisht te marrëdhënia emocionale me rolet: “Unë nuk kam luajtur kurrë një rol pa e dashur.” Kjo shpjegon pse personazhet e saj kanë një dendësi emocionale të rrallë: ato nuk janë të ndërtuar teknikisht, por të përjetuar, të ndërthurur nën lëkurën e saj.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm është mënyra se si ajo e lidh artin me muzikën: “Aq sa dua teatrin, e dua muzikën… aty ripërtërihem.” Kjo tregon se për të, arti nuk është një disiplinë e vetme, por një ekosistem ndjesish, ku muzika, fjala dhe trupi bashkëjetojnë. Në një intervistë tjetër – të përmbledhur dhe dokumentuar nga aktorja Merita Smaja – Tinkës i drejtohet kjo pyetje: “Ju znj Tinka, veç që jeni aktore shumë e madhe, unë e di që shkruani dhe poezi, por i mbani të fshehura në ditar e në blloqet tuaja…”. Ndërsa ajo modestisht përgjigjet “Unë poezinë e kam për veten. Kur thur ndonjë varg, dua ta përdor aty ku dua unë.” Dhe në këtë kuptim, ajo është një njeri që ka mbijetuar përmes artit.

Teatri “Migjeni”: gjurma e thellë e kohës dhe kujtesës

Nëse ka një vend ku kujtesa e Tinka Kurtit nuk shuhet kurrë, ai është teatri “Migjeni”. Ky teatër nuk është vetëm vendi ku ajo filloi, është vendi ku ajo qëndroi. Në intervistën me Zenepe Lukan, ajo e përsërit pothuajse si një betim: “Unë jam dhe mbetem aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”. Kjo nuk është një deklaratë nostalgjike, është një identifikim i plotë. Tinka nuk e ndan veten nga qyteti, nga publiku, nga skena.

Në një nga rrëfimet më të forta, ajo përshkruan momentin kur kthehet në Shkodër: “Sa herë vij… dhe shoh kalanë, më duket sikur më thërret: ‘Ma duj Shkodrën fort!’” Ky është një nga momentet më poetike të gjithë materialit të saj: teatri dhe qyteti shndërrohen në një zë të brendshëm, pothuaj mitik, të gjallë dhe të vazhdueshëm në çdo kohë.

Ajo kujton fillimet në mënyrë konkrete dhe sikur i ka para syve: “Kur hyra në teatër, gjithçka ishte e re… por kishte një zjarr që nuk shuhet.” Ky “zjarr” është pikërisht ajo që e bën Teatrin “Migjeni” një hapësirë kujtese qytetare, përtej institucionit dhe formave të betonit.

Në intervistat ku flet për kolegët (si Zef Jubani, Kadri Roshi, Naim Frashëri), ajo nuk i përmend si bashkëpunëtorë, por si pjesë të një bote që tashmë është zhdukur: “Ata ishin një kohë tjetër… një teatër tjetër.” Ky rrëfim e vendos teatrin “Migjeni” në një dimension historik: si një vend ku jo vetëm janë dhënë shfaqje, por ku është ndërtuar një epokë. Njerëzor, artistik e profesional.

Gjithashtu, një dimension tjetër na vjen nga Tinka në hyrjen e përgatitur nga Anila Mema të botimit “Tinka Kurti, ditari i një bashkëshorti”, ku ajo thotë se për të shtyrë ngacmimet e djemve të rinj që punonin në teatrin “Migjeni”, ajo ua kthen: “Sa të marrë jeni ju djemtë. Kujtoni se unë do t’ju marrë të tanëve në shtëpi. Unë du me marrë atë që ka “sobë të bardhë”.”; teksa në vazhdim e justifikon “sobën e bardhë” në këtë formë: “Mama jeme, shiti një sobë të bardhë, të cilën e pëlqeja shumë. Më mbeti merak, se e shiti për bukën e gojës. Mbajti një sobë të zezë, që e kishim marrë nga Dardha e Korçës, e cila ishte shumë e mirë, por e vjetëruar”. Por loja me “sobën e bardhë” e drejton Tinkën drejt një qasjeje tjetër në hapësirat e teatrit “Migjeni”, ndërsa dikush i përgjigjet: “Sobë të bardhë kam unë, përnjimend. Jo një, por dy”. Ai ishte Palokë Kurti, djaloshi i ri që do bëhej bashkëshorti i Tinkës.

Mbyllja ose “aty ku filloi ky shkrim”

Të mërkurën e datës 25 mars 2026, marr një mesazh nga drejtori i teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, për një takim sëbashku me Astrit Fanin. Fjalia e dytë që tha kishte të bënte me krijimin e një reviste të lidhur ngushtë me veprimtarinë dhe historinë e teatrit. Nuk e di si ndodhi, por gjatë diskutimit u fol për një rubrikë që kishte në vëmendje një personazh. Po cili mund të ishte ai/ajo? Kjo nuk është për të vënë në një listë zbritjeje apo rritjeje kontributin që aq shumë burra e gra kanë dhënë për teatrin “Migjeni”, por për ta lidhur me diçka që përfaqëson peshën, ngjarjet, zhvillimin, historinë, fillimin dhe të ardhmen… një dëshmitar qëkur teatri nisi rrugëtimin.

Ka vetëm një person, u tha, Tinka Kurti.
Imazhi që unë pata menjëherë ndër mend ishte ky: një gur themeli në një ëndërr që skalit veten ditë-përditë.
Kështu, u hap “Sipari”.

Artikull i botuar në “Sipari”, revistën zyrtare të Teatrit “Migjeni”