Vijon aksioni për çlirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës, ku këtë herë ndërhyrja është përqendruar në bulevardin “Zogu I”. Strukturat përkatëse kanë bërë të mundur heqjen e një objekti të ndërtuar pa leje, i cili kishte bllokuar qarkullimin pranë pallateve, duke krijuar vështirësi për lëvizjen e banorëve dhe aksesin e mjeteve të emergjencës, si zjarrfikësja dhe ambulanca.

Ndërhyrja është ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili theksoi se ky aksion është pjesë e një sërë masash të ndërmarra në zonën pranë shkollës “Ndre Mjeda”, me synim lirimin e hapësirave dhe përmirësimin e qarkullimit për komunitetin.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, u ndal te rëndësia e respektimit të hapësirave publike dhe zbatimit të ligjit për ndërtimet pa leje.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se aksioni do të vijojë në të gjitha lagjet e qytetit, me qëllim korrigjimin e deformimeve urbane të krijuara ndër vite dhe rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve.