Në edicionin e pestë të serisë motivuese “Ta tham n’Shkodër”, organizuar nga Qendra Rinore “Atelie” dhe Këshilli Vendor i të Rinjve Shkodër, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Qendrës për Hapje dhe Dialog, i ftuar i veçantë ishte futbollisti i njohur Bekim Balaj. Aktiviteti në ambientet e Kinemasë “Republika” bëri bashkë të rinj nga Shkodra për të dëgjuar nga afër rrëfimin e një prej sportistëve më të suksesshëm që ka nxjerrë qyteti. 

Bekim Balaj, me një karrierë që e ka pikënisjen nga lagjet e Shkodrës deri në fushat ndërkombëtare të futbollit, ndau me publikun historinë e tij, sfidat, përpjekjet, sukseset dhe betejat personale brenda dhe jashtë fushës së lojës. Balaj ka një thirrje të drejtpërdrejtë për të rinjtë: të ndjekin ëndrrat e tyre me guxim, të mos qëndrojnë “në stol”, por të hyjnë në lojë.

Nisma “Ta tham n’Shkodër” synon të sjellë në fokus personalitete frymëzuese që kanë nisur rrugëtimin e tyre nga Shkodra, duke treguar se besimi në vetvete dhe rrënjët kulturore janë burime fuqie për t’u përballur me botën.