Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, qindra besimtarë myslimanë të Shkodrës morën pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit në sheshin pranë Xhamisë së Fushë-Çelës.

Ceremonia e faljes u udhëhoq nga zëvendësmyftiu i Shkodrës, Arben Halluni, i cili mbajti edhe ligjëratën e rastit. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Halluni theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave familjare, fetare dhe kombëtare, duke bërë thirrje që qytetarët të mos braktisin vendin e tyre.

Kurban Bajrami, festa e sakrificës dhe solidaritetit është një nga më të rëndësishmet në kalendarin islam. Kjo festë kujton gatishmërinë e profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin në emër të Zotit, dhe simbolizon devotshmërinë, ndihmën ndaj të varfërve dhe forcimin e lidhjeve shoqërore e shpirtërore.