Historia e një prej figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare, pianistit shkodran Tonin Guraziu, u rikthye në vëmendje përmes podkastit skenik “Njeriu që jetoi dy herë”, organizuar në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë.

Një rrëfim mes muzikës dhe kujtimeve solli jetën e artistit që kontribuoi në zhvillimin e muzikës klasike shqiptare, por që për dekada u la në heshtje dhe harresë.

I lindur në Shkodër, Tonin Guraziu u diplomua me vlerësim maksimal në Akademinë Mbretërore të Bolonjës në vitin 1931, duke u bërë pianisti i parë profesionist shqiptar i diplomuar jashtë vendit.

Pas studimeve, ai zgjodhi të kthehej në Shqipëri. Në mars të vitit 1936, së bashku me sopranon Maria Kraja, organizoi në Shkodër një nga koncertet e para të muzikës klasike në vend. Më vonë themeloi katedrën e pianos dhe bashkëpunoi me emra të njohur si Tefta Tashko-Koço dhe Lola Gjoka.

Por vendosja e regjimit komunist ndryshoi rrënjësisht jetën e tij. Vëllai iu arrestua dhe u pushkatua, ndërsa vetë Guraziu përjetoi arrestimin, persekutimin dhe mbi 30 vite larg skenës.

Autorja dhe moderatorja e podkastit, Balina Bodinaku, theksoi se kontributi i pianistit u fshi nga kujtesa institucionale, duke lënë pas një mungesë të madhe dokumentacioni për veprimtarinë e tij artistike.

Vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist, Tonin Guraziu arriti të rikthehej në skenë, një vit përpara ndarjes nga jeta. Ai koncert shënoi simbolikisht jetën e tij të dytë.

Podkasti skenik “Njeriu që jetoi dy herë” solli jo vetëm historinë e një pianisti të shquar shkodran, por edhe dramën e një brezi artistësh, talenti dhe kontributi i të cilëve u lanë në harresë nga diktatura.