Kjo nuk ishte një ditë e zakonshme për Qendrën e Zhvillimit Shkodër. Mes festës, emocioneve dhe lotëve, kolegët i dhanë lamtumirën nga puna edukatores Vitore Prroni, e cila pas 42 vitesh përkushtimi doli në pension.
Për më shumë se katër dekada, ajo ia kushtoi punën e saj kujdesit dhe edukimit të personave me aftësi të kufizuara, duke u bërë një figurë e dashur për të gjithë ata që e njohën. Emocionet ishin të dukshme edhe te kolegët, të cilët ndanë kujtime nga vitet e punës së përbashkët, duke vlerësuar përkushtimin dhe humanizmin e saj.
Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite, drejtori i Qendrës së Zhvillimit Shkodër, Ardit Dibra, i dorëzoi një certifikatë mirënjohjeje.
Për Vitore Prronin mbyllet një kapitull i gjatë i jetës profesionale, por mbeten kujtimet dhe gjurmët e një pune 42-vjeçare në shërbim të personave që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje të veçantë.
