Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore të 36-vjetorit të xhumasë historike të 16 nëntorit 1990, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e librit “Terminologjia Kur’anore – Një analizë gjuhësore dhe semantike”, me autor Babil Abdul-Kerim.

Aktiviteti u zhvillua në xhaminë “Dy Vajzat”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, me pjesëmarrjen e grave myslimane. Takimi kishte në qendër rëndësinë e njohjes dhe kuptimit të terminologjisë së Kuranit, përmes shpjegimit të koncepteve të ndryshme fetare.

Aktiviteti u drejtua nga Kimete Elezi, ndërsa teologia Emine Alushi foli për konceptin e “Vahjit”, ose Shpalljes Hyjnore. Ajo shpjegoi kuptimin e këtij termi, mënyrat se si Shpallja i ka ardhur Profetit Muhammed dhe rëndësinë që ka në besimin islam.

Nga ana tjetër, teologia Jetmira Plaku u ndal te koncepti i “Ma’rifet”, që lidhet me njohjen dhe kuptimin e së vërtetës. Duke iu referuar librit, ajo theksoi se njohja nuk nënkupton vetëm marrjen e informacionit, por edhe aftësinë e njeriut për të vëzhguar, kuptuar dhe dalluar të vërtetën.

Promovimi i kësaj vepre shërbeu si një mundësi për të njohur më mirë përmbajtjen dhe mesazhet e Kuranit, si dhe për të nxitur interesin ndaj studimeve fetare dhe literaturës islame në gjuhën shqipe.

Organizatorët synojnë që përmes aktiviteteve të tilla të promovojnë librin dhe dijen, duke nxitur njëkohësisht pjesëmarrjen e grave myslimane në jetën kulturore, arsimore dhe fetare të komunitetit. Në përfundim të takimit, pjesëmarrëset morën falas nga një kopje të librit “Terminologjia Kur’anore”, si një mundësi për të thelluar më tej njohuritë e tyre.