Komedia e njohur shkodrane “Këshilli i Ndrikullave” po bëhet gati për t’u rikthyer në skenën e Teatrit “Migjeni”, këtë herë në një variant të modernizuar. Në një konferencë për mediat, të organizuar këtë të hënë, u prezantua ecuria e përgatitjeve për realizimin e shfaqjes, e cila do të sjellë së bashku emra të njohur të artit shqiptar.

Ideatori i këtij projekti, aktori dhe mjeshtri i madh Sandër Ruçi, foli për punën që po bëhet dhe synimin për të rikthyer një nga komeditë më të dashura të humorit shkodran, duke ruajtur frymën e saj origjinale dhe duke e përshtatur me publikun e sotëm.

Pjesë e këtij projekti është edhe aktorja dhe mjeshtrja e madhe Rita Gjeka, e cila do të interpretojë një nga personazhet e komedisë. Ajo foli për përgatitjet dhe rëndësinë e rikthimit në skenë të kësaj vepre të njohur të humorit shkodran.

Një rol të veçantë në realizimin e shfaqjes do të ketë edhe muzika, e cila do të vijë përmes interpretimit të këngëtarit dhe mjeshtrit të madh Frederik Ndoci. Ai ndau detaje rreth angazhimit të tij në këtë projekt artistik.

Në kastin e komedisë do të jetë edhe aktorja e njohur Zamira Kita, ndërsa projekti synon të ndërthurë përvojën e artistëve të afirmuar me energjinë e brezit të ri.

Shfaqja “Këshilli i Ndrikullave” parashikohet të vihet në skenë në vitin 2027, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të humorit shqiptar, Tano Banushi. Rikthimi i kësaj komedie synon të jetë një homazh për figurën e tij dhe një mundësi për t’ia përcjellë trashëgiminë e humorit shkodran edhe brezave të rinj.