Vllaznia dhe Besëlidhja kanë zhvilluar një ndeshje miqësore këtë të shtunë në fushën sportive “Reshit Rusi”, e cila përfundoi në barazim 1-1. Takimi u luajt gjatë ndërprerjes së kampionatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, duke u shërbyer të dyja skuadrave për të ruajtur ritmin e lojës.

Kuqeblutë e nisën më mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh që në minutat e para falë golit të Latifit. Megjithatë, Besëlidhja reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazonte me anë të Akansase, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Përtej rezultatit, trajneri i Vllaznisë, Csaba Laszlo, e shfrytëzoi këtë miqësore për të testuar futbollistët që kanë pasur më pak minuta aktivizimi gjatë javëve të fundit, si dhe disa prej elementëve të spikatur të Vllaznisë B. Tekniku kuqeblu u shpreh i kënaqur me sinjalet e dhëna nga të rinjtë, duke theksuar se synimi i tij është t’u krijojë sa më shumë hapësira në ekipin e parë.

Trajneri Laszlo u ndal edhe te përballja e ardhshme në kampionat ndaj Partizanit, duke theksuar se skuadra ka ende një javë kohë për t’u përgatitur dhe se objektivi është të bëjë më të mirën në këtë takim.

“Shfrytëzuam pushimin për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Doja të shikoja lojtarët e rinj të akademisë por edhe ata që nuk kanë patur shumë minuta këtë periudhë. Nuk mendoj shumë për rezultatin e këtij takimi. Mendoj se dhanë sinjale pozitive ndërsa objektivi është të aktivizoj sa më shumë lojtarë të rinj në klub. Sa i përket ndeshjes me Partizanin, kemi akoma edhe një javë për ta përgatitur dhe do bëjmë më të mirën”, u shpreh Laszlo.

Nga ana tjetër, edhe trajneri i Besëlidhjes, Mirel Josa, e konsideroi rezultatin e miqësores si dytësor. Sipas tij, më e rëndësishme ishte mundësia për t’u dhënë minuta futbollistëve që kanë pasur më pak hapësira në ndeshjet e fundit.

Kjo miqësore u shërbeu të dy trajnerëve për të vlerësuar gjendjen e futbollistëve dhe për të provuar alternativa të ndryshme në prag të rifillimit të kampionateve. Për Vllazninë, vëmendja tashmë përqendrohet te sfida ndaj Partizanit, ku kuqeblutë do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të përmirësuar pozitat në renditje.