Festivali Mbarëkombëtar i Humorit “Tano Fest” ka çelur siparin në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës me komedinë “10 vjet martesë”, interpretuar nga aktorët Gentian Zenelaj dhe Andia Xhunga. Një shfaqje që solli humor dhe situata nga jeta bashkëshortore, duke shënuar nisjen e tetë netëve të festivalit.
Një moment i pazakontë u regjistrua gjatë shfaqjes, kur mungesa e energjisë elektrike nuk kurseu as Teatrin “Migjeni”. Megjithatë, komedia nuk u ndërpre për asnjë çast. Publiku ndezi dritat e celularëve për të ndriçuar skenën, ndërsa dy aktorët vijuan interpretimin, duke e kthyer këtë situatë të papritur në një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes.
Në përfundim të shfaqjes, aktori Gentian Zenelaj u shpreh se “10 vjet martesë” është një nga komeditë më të suksesshme, e cila në Shkodër u ngjit në skenë për herë të 66-të. Ai u ndal edhe te ndryshimet që ka pësuar zhanri i komedisë ndër vite dhe mënyra se si ka evoluar humori përballë publikut.
Për regjisoren dhe aktoren Andia Xhunga, interpretimi përpara publikut shkodran përbënte një përgjegjësi të veçantë. Ajo e krahasoi këtë përballje me një provim, duke vlerësuar pritjen që spektatorët i rezervuan komedisë.
“Jemi si në provim para publikut shkodran, por ai e priti shumë mirë këtë shfaqje”, u shpreh Xhunga.
Komedia “10 vjet martesë”, e autorit Alil Vardar, është përkthyer nga Ylljet Aliçka, ndërsa skenografia mban firmën e Genc Shkodranit.
Festivali “Tano Fest” do të vijojë deri më 21 nëntor me tetë shfaqje humori në skenën e Teatrit “Migjeni”. Ky aktivitet zhvillohet në prag të 100-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur shkodran Tano Banushi, duke nderuar figurën dhe kontributin e tij në historinë e humorit shqiptar.
