Ankthi, pagjumësia dhe ndryshimet në gjendjen emocionale janë shqetësime që nuk duhen neglizhuar, veçanërisht kur zgjasin në kohë dhe ndikojnë në jetën e përditshme. Mjekja psikiatre Eridana Rusi thekson se, nëse këto probleme vazhdojnë për dy javë ose më shumë, është e nevojshme që personi të paraqitet te mjeku për një vlerësim dhe diagnozë të mundshme, duke përjashtuar rastet akute që kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë.

Sipas mjekes, situata bëhet edhe më shqetësuese kur gjendja psikologjike nis të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Izolimi nga të tjerët, refuzimi i ushqimit apo vështirësitë në përmbushjen e aktiviteteve të përditshme janë disa nga shenjat që kërkojnë vëmendje të veçantë.

Një tjetër problematikë që trajton mjekja Rusi është depresioni i paslindjes, një gjendje që mund të prekë nënat pas ardhjes në jetë të fëmijës dhe që kërkon njohje të hershme të simptomave dhe mbështetje profesionale.

Mjekja psikiatre nënvizon gjithashtu se jo të gjithë individët reagojnë njësoj përballë të njëjtave situata. Për këtë arsye, vlerësimi dhe trajtimi duhet të jenë të personalizuar, në varësi të gjendjes dhe nevojave të secilit pacient.

Mesazhi i saj është që shqetësimet e shëndetit mendor të mos neglizhohen dhe ndihma e specialistëve të kërkohet në kohë, përpara se ato të ndikojnë më rëndë në jetën personale, familjare dhe shoqërore.