Në kuadër të kremtimit të 10-vjetorit të lumnimit të 38 martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër u kremtua mesha e vigjiljes.
Kjo meshë ishte e veçantë pasi u drejtua nga Imzot Angelo Massafra, i cili shërbeu për gati 27 vite si Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit. Rikthimi i tij në Katedralen e Shën Shtjefnit, këtë herë për një përvjetor kaq domethënës për Kishën Katolike, i dha një rëndësi të veçantë kësaj ceremonie.
Kremtimi i 10-vjetorit të lumnimit të 38 martirëve është një moment përkujtimi dhe reflektimi mbi sakrificën e klerikëve dhe besimtarëve që u persekutuan gjatë regjimit komunist për shkak të fesë së tyre.
Mesha e vigjiljes në Katedralen e Shën Shtjefnit ishte pjesë e aktiviteteve përkujtimore që po zhvillohen në Shkodër, në nderim të figurës dhe trashëgimisë shpirtërore të 38 martirëve.
