Studentët nga familjet në nevojë pritet të përfitojnë bursa më të larta financiare duke nisur nga viti 2027. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se mbështetja mujore për këtë kategori do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Kumbaro bëri të ditur se arsimi i lartë do të përfitojë një fond shtesë prej 1.25 miliardë lekësh, duke regjistruar rritjen më të madhe në vlerë brenda buxhetit të Ministrisë së Arsimit.

Sipas ministres, nga kjo paketë mbështetëse parashikohet të përfitojnë mbi 11 500 studentë. Konkretisht, 5 900 studentë nga familjet në nevojë do të marrin nga 25 mijë lekë në muaj, ndërsa 5 500 studentë me mesatare 9 deri në 10 do të mbështeten me nga 10 mijë lekë në muaj.

Ndërkohë, 177 studentë që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare do të përfitojnë nga 50 mijë lekë në muaj. Një tjetër risi është zgjerimi i mbështetjes financiare edhe për studimet e ciklit të dytë Master, sipas kategorive të përcaktuara.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu 375 milionë lekë për akomodimin e studentëve në konviktet universitare. Së bashku me burimet e tjera të financimit, fondi total për këtë shërbim pritet të arrijë në rreth 900 milionë lekë në vit.

Nga kjo mbështetje synohet të përfitojnë 7 000 deri në 7 500 studentë, ndërsa investimet për përmirësimin e kushteve të jetesës do të përfshijnë edhe konviktet universitare në Shkodër, krahas Tiranës, Kamzës, Vlorës, Korçës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.

Ministrja Kumbaro theksoi se rritja e financimit synon lehtësimin e kostove të studimit dhe përmirësimin e kushteve për të rinjtë që ndjekin arsimin e lartë në vend.