Personat me aftësi të kufizuara në Shkodër vijojnë të përballen me vështirësi në jetën e përditshme, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme dhe mundësive të kufizuara për punësim.
Drejtuesi i Projektit “Shpresa”, Luigj Mila, i cili përkujdeset për 65 persona me aftësi të kufizuara dhe individë të tjerë në nevojë, bën apel që kjo kategori të vlerësohet më shumë nga shoqëria dhe institucionet. Sipas tij, është e nevojshme të krijohen mundësi konkrete për integrimin e tyre në tregun e punës, duke u garantuar një jetë më të pavarur dhe dinjitoze.
Një tjetër problematikë mbetet infrastruktura në qytet. Mila kërkon nga institucionet përgjegjëse që të investojnë më shumë në shtimin e shërbimeve, përmirësimin e sinjalistikës dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara.
Pavarësisht përpjekjeve të organizatave që punojnë me këtë kategori, mbështetja institucionale mbetet thelbësore për të garantuar mundësi të barabarta. Përmirësimi i aksesueshmërisë dhe nxitja e punësimit janë dy prej kërkesave kryesore që synojnë integrimin më të plotë të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
