Në një kohë kur shërbimet publike po ofrohen gjithnjë e më shumë përmes platformave digjitale, përdorimi i e-Albania-s mbetet një sfidë për një pjesë të qytetarëve, veçanërisht për të moshuarit. Në Shkodër, një pjesë e tyre shprehen pozitivisht për lehtësitë që ofron platforma, duke shmangur pritjet në sportele dhe duke kursyer kohë për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të ndryshme.

Megjithatë, jo të gjithë arrijnë t’i përdorin në mënyrë të pavarur këto shërbime. Mungesa e njohurive teknologjike dhe vështirësitë në përdorimin e telefonave inteligjentë bëjnë që një pjesë e të moshuarve t’u drejtohen familjarëve apo personave të tjerë për ndihmë.

Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që hasin vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania, prej më shumë se një viti Bashkia Shkodër ofron asistencë falas. Përmes këtij shërbimi, qytetarët mund të marrin ndihmë për kryerjen e aplikimeve dhe përfitimin e dokumenteve elektronike. Specialisti i Bashkisë Shkodër, Mirsad Mandija, flet mbi funksionimin e këtij shërbimi dhe interesimin e qytetarëve.

Në Ditën Ndërkombëtare të Internetit, që shënohet më 29 tetor, vëmendja kthehet edhe te përfshirja digjitale e moshës së tretë. Ndërsa teknologjia synon të lehtësojë përditshmërinë, sfidë mbetet garantimi i aksesit të barabartë në shërbimet publike, në mënyrë që digjitalizimi të mos kthehet në pengesë për qytetarët që nuk zotërojnë aftësitë e nevojshme teknologjike.