Vllaznia shfaqi luhatje të dukshme në lojën e saj gjatë 90 minutave të përballjes me Vorën, takim që përfundoi me humbjen 2-1 të kuqebluve. Ky është vlerësimi i Fatmir Lugjit, i cili evidenton mungesën e vazhdimësisë në lojën e skuadrës shkodrane, që nuk arriti të dilte me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë.

Pas humbjes ndaj Vorës, Vllazninë e pret një tjetër transfertë, këtë herë përballë Skënderbeut në Korçë. Sipas Lugjit, as kjo përballje nuk pritet të jetë aspak e lehtë për kuqeblutë, të cilët duhet të tregojnë më shumë qëndrueshmëri dhe përqendrim për të synuar rikthimin te rezultatet pozitive.

Ndërkohë, klubi shkodran ka zyrtarizuar dy afrime në skuadër. Andi Hadroj dhe Flori Spahija janë dy futbollistët që i bashkohen Vllaznisë, në një moment kur kuqeblutë kërkojnë të përforcojnë organikën dhe të përmirësojnë rezultatet në vazhdimësinë e kampionatit.