Gjithnjë e më shumë qytetarë në Shkodër po i drejtohen shërbimit të ndihmës juridike falas për të zgjidhur problematikat e tyre ligjore. Nga 277 raste të regjistruara gjatë gjithë vitit 2025, vetëm në periudhën janar–tetor të këtij viti numri ka arritur në 341, duke shënuar një rritje të ndjeshme të kërkesave për këtë shërbim. Juristja Xhevahire Halaj evidenton interesimin në rritje të qytetarëve për të përfituar asistencë ligjore pa pagesë.
Problematikat që shqetësojnë qytetarët janë të ndryshme, por pjesën më të madhe të rasteve të trajtuara e zënë çështjet që lidhen me pensionet. Vështirësitë në procedurat e lidhjes së pensionit, njohja e viteve të punës dhe dokumentacioni i nevojshëm për përfitimin e tij janë ndër shqetësimet kryesore për të cilat kërkohet ndihmë juridike. Juristja Antoneta Koca ndalet te problematikat më të shpeshta që paraqiten nga qytetarët.
Ky shërbim, i garantuar nga shteti, u mundëson kategorive që plotësojnë kriteret ligjore të marrin këshillim dhe asistencë juridike pa pagesë. Rritja e numrit të rasteve të trajtuara në Shkodër nxjerr në pah nevojën e qytetarëve për mbështetje ligjore, veçanërisht në çështje që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat sociale dhe ekonomike. Ndërkohë, informimi mbi mundësitë e përfitimit të këtij shërbimi mbetet i rëndësishëm për qytetarët që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e asistencës juridike.
