Fitorja dramatike 84-82 ndaj Besëlidhjes, pas një përmbysjeje spektakolare, ka rritur besimin te Vllaznia në basketboll për meshkuj. Trajneri i kuqebluve, Eni Llazani, shprehet mirënjohës ndaj lojtarëve të tij për karakterin e treguar në parket, duke evidentuar besimin që skuadra ruajti deri në sekondat e fundit, por edhe fatin që ndikoi në suksesin ndaj kampionëve në fuqi.
Pavarësisht nisjes pozitive të sezonit dhe rezultateve që e kanë ngjitur Vllazninë në krye të renditjes, Llazani tregohet i kujdesshëm kur pyetet për objektivin titull kampion. Sipas tij, është ende herët për të folur për trofeun, ndërsa vëmendja mbetet te vazhdimësia e rezultateve dhe përmirësimi i skuadrës.
Sfida e radhës do të jetë një tjetër provë e rëndësishme për kuqeblutë, të cilët do të presin Teutën në Shkodër. Për këtë përballje direkte në krye të kampionatit, trajneri Llazani kërkon edhe mbështetjen e tifozërisë shkodrane nga shkallët e pallatit të sportit.
Vllaznia dhe Teuta ndajnë aktualisht kreun e renditjes me pikë të barabarta. Dy skuadrat do të përballen të shtunën, më 31 tetor, në orën 19:00, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, në kuadër të javës së katërt të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj.
