Bashkia Shkodër ka nisur fazën e dytë të ndërhyrjes për lirimin e plotë të oborrit të shkollës “Mati Logoreci”. Sipas kryetarit të Bashkisë, Benet Beci, synimi është që hapësira, e cila ka qenë e zënë prej 30 vitesh, t’u rikthehet plotësisht nxënësve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku ka bërë të ditur se krahas lirimit të oborrit, është përgatitur edhe projekti për transformimin e tij. Ky projekt parashikon krijimin e fushave sportive dhe ambienteve çlodhëse, ku nxënësit do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitete fizike dhe të kalojnë kohën e lirë.

Ndërhyrja synon rikthimin e të gjithë hapësirës në funksion të shkollës, ndërsa realizimi i projektit pritet të krijojë kushte më të përshtatshme për sport, lojë dhe aktivitete të përbashkëta për fëmijët.