Komedia “Fshati ku të vjedhin burrin”, e shfaqur në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës, përmbylli edicionin e dytë të festivalit teatror “Gjegju Fest”. Shfaqja solli për publikun një interpretim të mbështetur në traditën e komedisë popullore, ku maskat, gjestet dhe lëvizjet skenike morën një rol të veçantë në përcjelljen e humorit.

Autori i tekstit dhe regjisori Armand Bora thekson se kjo shfaqje i përket teatrit të maskave, një formë interpretimi ku përparësi marrin gjestet dhe gjuha e trupit, duke e kthyer komunikimin joverbal në elementin kryesor të shprehjes artistike.

Krijimi i hapësirave për artistët e rinj dhe përfshirja e tyre në jetën kulturore të qytetit mbetet një ndër objektivat e drejtuesit të teatrit “Migjeni”, Gerti Palali. Ai vlerëson rëndësinë e festivaleve të tilla për promovimin e talenteve dhe nxitjen e krijimtarisë së brezit të ri.

Për gjashtë netë radhazi, festivali “Gjegju Fest” solli për publikun shkodran gjashtë shfaqje teatrale, fillimisht në skenën e teatrit “Migjeni” dhe në përmbyllje në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës. Edicioni i dytë u karakterizua nga interpretime dhe forma të ndryshme të shprehjes skenike, duke krijuar një tjetër mundësi takimi mes artistëve dhe publikut.