Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 76-vjetorin e ndarjes nga jeta të martires Marie Tuci, e cila humbi jetën në moshën 22-vjeçare si pasojë e torturave të pësuara gjatë regjimit komunist.
Ceremonia nisi me një procesion nga Katedralja e Shën Shtjefnit, ku besimtarët, duke mbajtur imazhin e së Lumes Marie Tuci, përshkuan rrugët e qytetit në kujtim të sakrificës së saj për besimin.
Mesha përkujtimore u kremtua në Kishën e Motrave Stigmatine dhe u udhëhoq nga meshtari Dom Mark Pashkja, i cili në mesazhin e tij vlerësoi përkushtimin e jashtëzakonshëm të Marie Tucit ndaj fesë dhe qëndresën e saj përballë persekutimit komunist.
Marie Tuci, vajza e re mirditore që nuk hoqi dorë nga besimi edhe përballë torturave, mbetet simbol i dinjitetit njerëzor, emancipimit femëror dhe qëndresës ndaj diktaturës. Historia e saj vijon të përcjellë mesazhe të fuqishme për lirinë e ndërgjegjes dhe mbrojtjen e vlerave njerëzore.
