Bashkia Shkodër po vijon ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike në zonën e Xhabijes, duke shembur objektet që prej kohësh kanë zënë sipërfaqe të përbashkëta pranë pallateve. Paralelisht, kanë nisur punimet për rehabilitimin e lulishtes pranë bustit të Esat Gjylit, e cila synohet të kthehet në një hapësirë të gjelbër dhe çlodhëse për banorët.
Nga afër, ndërhyrjet janë ndjekur edhe nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndërsa drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Dionis Dragani, jep detaje mbi punimet dhe mënyrën se si do të shfrytëzohen hapësirat e liruara.
Përveç rehabilitimit të lulishtes, Bashkia Shkodër parashikon që një pjesë e sipërfaqeve të liruara të shfrytëzohen për krijimin e parkimeve publike. Kjo ndërhyrje synon të lehtësojë problematikën e mungesës së vendeve të parkimit, me të cilën përballen banorët e zonës.
Lirimi i hapësirave publike dhe sistemimi i tyre pritet të përmirësojnë kushtet e jetesës në këtë pjesë të qytetit, duke krijuar më shumë mundësi për gjelbërim, parkim dhe shfrytëzim të mjediseve të përbashkëta nga komuniteti.
