Vllaznia kërkon fitoren në klasiken ndaj Tiranës për të përmirësuar pozitat në klasifikim. Një ditë përpara përballjes në “Loro Boriçi”, kuqeblutë shprehen të gatshëm për një nga sfidat më të rëndësishme të futbollit shqiptar.

Trajneri Csaba Laszlo thekson peshën që ka kjo ndeshje për skuadrën dhe qytetin, ndërsa e sheh menaxhimin e emocioneve si një faktor përcaktues për rezultatin.

“Kam luajtur shumë ndeshje derbi në karrierën time. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për qytetin dhe për skuadrën. Më e rëndësishmja është që të ngjitemi në klasifikim dhe të fitojmë sfidën. Kush mund t’i kontrollojë pozitivisht këto emocione do të triumfojë. Kjo është puna ime me lojtarët për këtë betejë”, u shpreh Laszlo.

Edhe kapiteni Bekim Balaj vlerëson klimën brenda ekipit në prag të përballjes me bardheblutë. Vllaznia–Tirana do të luhet të shtunën, në orën 18:30, në stadiumin “Loro Boriçi”.