Shtatë vite pas krijimit, Biblioteka “Zoja e Shkodrës” vijon të pasurojë fondin e saj me botime dhe materiale me vlerë historike, kulturore e studimore. Gjovalin Çuni evidenton kontributin e familjeve shkodrane, të cilat përmes dhurimit të librave kanë ndihmuar në pasurimin e kësaj biblioteke. Ai thekson se misioni kryesor mbetet ruajtja e kësaj pasurie dhe vendosja e saj në shërbim të publikut.

Përtej ruajtjes së librave, Biblioteka “Zoja e Shkodrës” shërben edhe si një hapësirë e rëndësishme për kërkimin shkencor. Xhuana Abazi, pedagoge e Universitetit “Luigj Gurakuqi” vlerëson ndihmën që kjo bibliotekë u ofron pedagogëve, studentëve dhe studiuesve, duke u krijuar mundësi për konsultimin e literaturës dhe materialeve të nevojshme për punën e tyre akademike.

Në 7- vjetorin e krijimit, Biblioteka “Zoja e Shkodrës” mbetet një hapësirë ku trashëgimia e së kaluarës vihet në shërbim të dijes dhe brezave të rinj, duke ruajtur njëkohësisht traditën e pasur bibliotekare të qytetit.