Një udhëtim mes realitetit dhe imagjinatës solli në skenën e teatrit “Migjeni” shfaqja “Mirë se erdhe në Hronir”, e cila u prezantua për publikun shkodran në natën e tretë të festivalit teatror “Gjegju Fest”.

Vepra e autorit Suad Arilla, me regji të Merita Smajës, përcolli një karakter të theksuar filozofik, duke e ftuar spektatorin të zhvendoset përtej realitetit të përditshëm, në një botë ku imagjinata dhe mendimi ndërthuren me njëri-tjetrin. Përmes situatave dhe dialogëve, shfaqja ngre pyetje mbi mënyrën se si njeriu e percepton botën që e rrethon, duke i lënë hapësirë publikut për reflektim dhe interpretime të ndryshme.

Pas përfundimit të shfaqjes, regjisorja Merita Smaja u ndal te mesazhet filozofike të veprës dhe mënyra se si ato u përcollën në skenë. Në këtë shfaqje interpretuan aktorët e rinj Marsel Paplekaj, Ami Krosaj, Amar Fishta dhe Jet Alda Dekaj, të cilët sollën për publikun personazhe dhe situata që ndërthurin realitetin me imagjinatën.

Për aktorët e rinj, interpretimi i një vepre me karakter filozofik përbën një përvojë të veçantë artistike, ndërsa pas shfaqjes ata ndanë përshtypjet e tyre mbi punën në skenë. Festivali teatror “Gjegju Fest” vijon të sjellë çdo mbrëmje shfaqje të ndryshme në teatrin “Migjeni”, duke krijuar hapësirë për talentet e reja dhe promovimin e artit skenik. Edicioni i dytë i festivalit do të vijojë deri më 24 tetor.