Vllaznia vijon të jetë në një situatë të vështirë në tabelën e klasifikimit, por paraqitjet e fundit të kuqebluve kanë dhënë sinjale përmirësimi. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Edmond Doçi, vlerëson se skuadra shkodrane po shfaq një ecuri më pozitive nën drejtimin e trajnerit Csaba László, megjithëse rezultatet dhe pikët mbeten domosdoshmëri për t’u larguar nga fundi i renditjes.
Sfida e radhës për kuqeblutë do të jetë përballja me Tiranën, një nga rivalitetet më të mëdha të futbollit shqiptar. Sipas Doçit, klasikja mbetet gjithmonë një ndeshje e vështirë, ku Vllaznia duhet të tregojë kujdes maksimal dhe të synojë një rezultat pozitiv.
Aktualisht, Vllaznia mban vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, me vetëm një pikë më shumë se Partizani i vendit të fundit. Kjo situatë e bën edhe më të rëndësishme përballjen me Tiranën, teksa shkodranët kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive dhe të përmirësojnë pozitat në kampionat.
