Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër vijon të tërheqë interesin e turistëve të huaj, të cilët kërkojnë të njihen nga afër me të kaluarën e Shqipërisë gjatë regjimit diktatorial. Sezoni veror ka qenë pozitiv për këtë muze, ku ndër vizitorët kryesorë kanë qenë turistët amerikanë, polakë dhe italianë, por edhe shtetas nga vende të tjera.

Specialisti i muzeut, Xherardo Nikjari, tregon se interesi i vizitorëve ka qenë i vazhdueshëm, duke e kthyer këtë objekt në një nga pikat e rëndësishme të turizmit historik në qytetin e Shkodrës.

Ndër hapësirat që kanë tërhequr më shumë vëmendjen e vizitorëve janë qelia ku është mbajtur i burgosur At Zef Pllumi dhe dhoma e torturave. Sipas Nikjarit, këto ambiente ngjallin interes të veçantë, pasi dëshmojnë drejtpërdrejt vuajtjet dhe persekutimin e të burgosurve politikë gjatë diktaturës komuniste.

Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” mbetet një hapësirë e rëndësishme për ruajtjen e kujtesës historike, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen me një nga periudhat më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.